Posted on 30 Prill 2012 by admin
Skënderbeu është ndalur në një bara zim pa gola në Ballsh kundër Bylisit, por sërish ka ruajtur kreun e renditjes, duke përfituar nga barazimi i Teutës përballë Kamzës. Asnjë prej dy skuadrave që kryesojnë Superligën nuk ka arritur të shënojë gol në ndeshjet e djeshme, ç’ka i jep më shumë shanse ekipit korçar për të arritur kampionatin. Në dy javët e mbetura, Skënderbeu do të ndeshet me Apoloninë në shtëpi dhe Pogradecin në transfertë, në dy sfida që duke parë diferencën mes ekipeve, nuk duken edhe aq të vështira. Sa i përket takimit të djeshëm, Bylisi ka bërë një qëndresë të fortë përballë miqve, madje ka shënuar edhe një gol, që më pas i është anuluar. Korçarët pësuan në këtë ndeshje fatin e shumë skuadrave të tjera të mëdha, që nuk kanë arritur të marrin dot pikë në Ballsh. Me pikën e marrë dje, Bylisi bën një hap shumë të rëndësishëm drejt qëndrimit në Superligë, pasi Tomori i vendit të 10-të, ndodhet 4 pikë larg, kur mbeten edhe dy javë deri në fund.
TEUTA
Një tjetër gafë e Teutës në betejën për titullin kampion. Pas humbjes me Laçin, durrsakët kanë barazuar dje 0-0 me Kamzën, në një ndeshje ku ata do të ishin rikthyer në krye në rast se nuk do të kishin fituar. E në fakt, dëshira nuk u ka munguar futbollistëve të drejtuar nga Hasan Lika, por edhe njëherë, pasaktësia përpara portës dhe qëndrimi në prapavijë i kundërshtarit, bëri që ata të mos arrinin të shënonin dot për herë të dytë radhazi. Teuta mbetet 1 pikë pas korçarëve, ç’ka e bën marrjen e titullit një mision shumë të vështirë.
NDESHJET
Në takimet e tjera të luajtura dje, spikat fitorja 5-0 e Flamurtarit në fushën e tij përballë Dinamos. Vlonjatët kanë kërkuar fitoren për të siguruar pjesëmarrjen në Evropë dhe e kanë arritur atë shumë lehtë. Shpresa e bluve që Flamurtari të toleronte, ka rezultuar e kotë, pasi skuadra e Muçës varej shumë nga ajo çfarë ndodhte në përballjen mes Kastriotit dhe Laçit. Krutanët u mundën 0-1 në fushën e tyre, falë një goli të shënuar nga Emurllai në minutën e 12-të, duke e bërë thuajse të pamundur arritjen e vendit të katërt, që do të thotë pjesëmarrje në Europa League. Pas takimeve të djeshme, Flamurtari është 5 pikë përpara, gjë që do të thotë se vlonjatët me shumë mundësi do të jenë në Evropë. Ndërkohë, Laçi thuajse e ka siguruar qëndrimin në Superligë, pasi ka 33 pikë. Duke llogaritur 10 pikët e hequra, kurbinasit mund të ishin në zonat e larta në këto momente. Në ndeshjen tjetër të luajtur dje, Vllaznia ka barazuar 0- 0 në shtëpi ndaj Tomorit, duke mos e siguruar dot qëndrimin në kategori direkt as pas kësaj jave. U luajt java e 24-t e Kategorisë Superiore, e cila ka sërish në krye Skënderbeun e Korcës, që kësaj here ishte mysafir në Ballsh, ku nuk ka shkuar më tej se barazimi i bardhë 0-0, i ndjekur nga “djemtë e detit” të Hasan Likës, që mbeten të dytët, me një pikë më pak, teksa u ndeshën në shtëpi me debutuesit kamzalinj, duke regjistruar po ashtu barazim të bardhë. Të dyja këto skuadra vijojnë ende betejën për fitimin e titullit kampion, ndërkohë që javën e shkuar ishte dorëzuar Tirana në këtë drejtim, pas humbjes në derbin me Dinamon. Bardheblutë kanë barazuar edhe javën e 24-t, duke ndarë nga një pikë me Shkumbinin.
Posted on 15 Prill 2012 by admin
Në një ndeshje plot emocione dhe spektakël në stadiumin “Skënderbeu”, ekipi korçar mund rivalen direkte për titull të Tiranës 2-0 duke e nxjerrë këtë të fundit ndoshta edhe jashtë pretendimeve për trofeun e madh, njofton Supersport. Emocionet e kësaj përballje erdhën për sportëdashësit vetëm përmes SuperSport dhe takimi mund të konsiderohet si një reklamë për futbollin shqiptar.
Takimi nisi mirë për Skënderbeun që pati rastin e parë që në minutën e dytë, por më pas djemtë e Levit u tërhoqën duke i lënë terren Tiranës, që iu afrua golit me Pishën e pak minuta më pas me Ahmatajn që trondit shtyllën e korçarëve. Miqtë nga Tirana janë më të qartë në 45 minutat e para por nuk e gjejnë rrugën e golit dhe pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.
Në pushim të ndeshjes duket se tekniku Levi ka gjetur formulën magjike për lojtarët e tij pasi Skënderbeu hyn më i vendosur në fushë dhe në minutën e 49’ pas një kundërzbritje të shpejtë, Muzaka jep në asist në zonë për Xhafajn që ngre në peshë stadiumin me tifozët vendas. Tirana nuk arrin të reagojë dhe Skënderbeu në minutën e 62 në një aksion thuajse fotokopje si i pari dyfishon me Allmuçën që realizon me kokë, i pashqetësuar nga mbrojtësit e Tiranës. Skuadra e Rubios përpiqet të reagojë dhe godet 2 herë shtyllën, por fati nuk është në anën e tyre në Korçë. Sfida mbyllet 2-0, dhe Skënderbeu është pranë titullit por pengesa e radhës do të jetë Flamurtari në Vlorë. Këta të fundit fituan 2-1 në Fier ndaj Apolonisë, ndërsa ndjekësja më e afërt e Skënderbeut, Teuta kaloi minimalisht 1-0 Dinamon duke qëndruar pranë korçarëne në renditje. Ekipi i Lëvit kryeson me 47 pikë, Teuta 46 ndërsa pas tyre renditet Tirane me 43 pikë.
Posted on 11 Prill 2012 by admin
Skënderbeu ka rimarrë kreun e Superligës, pas një fitoreje tejet të vështirë në shifrat 2-1 të arritur në fushën e Kastriotit. Korçarët i janë përgjigjur menjëherë Teutës, duke triumfuar në një stadium, ku pak ekipe kanë arritur të dalin me pikë këtë sezon. Ndeshja ka dhuruar emocione të panumërta dhe një lojë shumë sulmuese, ndonëse shiu nuk ka pushuar pothuajse për asnjë moment. Ishte Kastrioti ai që shënoi i pari me anë të Inkangos në minutën e 34-t. Një kros nga e majta u shty në rrjetë nga sulmuesi i skuadrës krutane, një prej lojtarëve më të mirë të kampionatit këtë sezon. Skënderbeu arriti të barazonte shumë shpejt shifrat, me anë të Orelesit që goditi saktë me kokë. Në pjesën e dytë, Kastrioti ka synuar fitoren për të ruajtur vendin e katërt që mund të vlejë një vend në Evropë sezonin e ardhshëm, por dalja me karton të kuq e Cacës prishi ekuilibrat në fushë. Skënderbeu u hodh në sulm për të gjetur golin e fitores, që erdhi vetëm 4 minuta para fundit. Muzaka ndërmerr një inkursion dhe pason te Daniel Xhafaj, që mposht për herë të dytë Halilin, duke shënuar një gol mjaft të rëndësishëm.
Ndërkohë, Flamurtari mundi 2-0 Bylisin, duke marrë vendin e katërt dhe duke kaluar Kastriotin. Në rast se Tirana dhe Skënderbeu do të arrijnë të kualifikohen për në finale të Kupës së Shqipërisë, atëherë ky vend mund të vlejë një kualifikim për në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm. Në ndeshjen tjetër, Tirana ka mundur 1-0 Apoloninë në kryeqytet, falë një goli të Bekim Balës në pjesën e dytë. Bardheblutë kanë një pikë më pak se Skënderbeu, me të cilin do të ndeshen javën e ardhshme në Korçë.
Posted on 08 Prill 2012 by admin
Teuta ka marrë përkohësisht kreun e Superligës, pas fitores minimale në shifrat 1-0 të arritur dje përballë Tomorit.
Në “Niko Dovana”, skuadra e drejtuar nga Hasan Lika ka triumfuar ndaj asaj beratase, duke regjistruar edhe fitoren e 13-të sezonale. Teutës i ka mjaftuar një gol i shqiptaro-maqedonasit Tairi në pjesën e dytë për të marrë 3 pikët. Ndeshja e djeshme është dominuar nga durrsakët, të cilët kërkonin fitoren për të marrë kreun e kampionatit dhe për të shpresuar te gabimet e rivalëve. Pas një pjese të parë pa gola, ishte Tairi ai që mposhti portierin Llani në minutën e 58-të. Në fund, Teuta pati edhe një penallti, por që nuk u realizua nga Çota, pasi portieri rezervë, Haxho, u tregua i saktë. Me këtë fitore durrsakët shkojnë në 43 pikë, 2 më shumë se Skënderbeu dhe 3 më shumë se Tirana. Korçarët do të luajnë sot në transfertë kundër Kastriotit, në një nga sfidat më të vështira që atyre u kanë mbetur.
Pas polemikave të nisura në Kupë, për Skënderbeun pritet të jetë shumë e vështirë që të fitojë në një ambient si ai i Krujës. Kastrioti është një skuadër fushe dhe kanë qenë të paktë kundërshtarët që kanë mundur të marrin pikë në fushën e tij. Gjithsesi, korçarët i besojnë formës së tyre të mirë edhe në këtë sfidë, që mund t’u kushtojë edhe kreun e renditjes. Ndërkohë, një ndeshje më e lehtë për Tiranën, e cila do të presë në “Qemal Stafa” Apoloninë. Fierakët nuk duken aq të vështirë në transfertë, megjithë nevojën e tyre urgjente për pikë. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër që do të luhet sot, Flamurtari do të presë në shtëpi Bylisin, në një tentativë për të zënë vendin e katërt që mbahet nga Kastrioti.
Posted on 17 Tetor 2011 by admin
Tomori ka pësuar një tjetër humbje për këtë sezon, duke u mposhtur 0-1 në fushën e vet përballë Laçit. Skuadra beratase duket në një krizë të plotë këtë sezon, duke mos bërë asgjë nga ndeshja në ndeshje.
Përballja e sotme u vendos nga një gol i maqedonasit Trajkoviç në minutën e 34-t, me penallti. Një moment që nuk u prit mirë nga drejtuesit e Tomorit, për shkak se 11-metërshi ishte paksa i dyshimtë. Në fund, ata akuzuan gjyqtarin për këtë vendim, që vendosi fatet e ndeshjes. Me këtë disfatë, Tomori mbetet në kuotën e 4 pikëve pas 5 javësh, ndërsa Laçi shkon në 8 pikë.
Fitore në transfertë ka arritur edhe Kastrioti, që mundi 1-0 Bylisin në Ballsh. Miqtë nga Kruja realizuan që në minutën e 9-të me anë të Sebino Plakut, një gol që më pas vendosi edhe ndeshjen. Me këtë fitore, krutanët u ngjitën në kuotën e 9 pikëve, po aq sa Tirana e Teuta, duke treguar se këtë sezon mbeten një nga skuadrat pretendente. Të shtunën luhen tre ndeshjet të tjera, Pogradeci-Flamurtari, Tirana-Vllaznia dhe Skënderbeu-Kamza.
Posted on 31 Gusht 2011 by admin
Nr. Ekipi N F B H GS GP Pikë
1 Teuta 11 9 1 1 14 5 28
2 Tirana 11 7 2 2 19 12 23
3 Skenderbeu 11 5 5 1 12 6 20
4 Kastrioti 11 6 1 4 17 11 19
5 Flamurtari 11 5 3 3 15 11 18
6 Laci 11 4 4 3 12 13 16
7 Pogradeci 11 5 1 5 11 15 16
8 Shkumbini 11 4 3 4 17 16 15
9 Vllaznia 11 4 2 5 17 15 14
10 Bylis 11 4 2 5 20 20 14
11 Kamza 11 4 1 6 10 11 13
12 Apolonia 11 2 2 7 10 18 8
13 Tomori 11 2 2 7 8 18 8
14 Dinamo 11 0 3 8 2 13 0